Alarmi i Bankës Botërore, se planeti ynë kërcënohet nga uria, do të trondiste këdo. Mendimi se imazhet e miliona njerëzve-skelet, që thërrasin për ndihmë humanitare, do të mund t‘i shihja jo më në Afrikë, por në Evropë, apo më keq akoma në Shqipëri, ma shtoi ankthin. Për çudi, kriza e ushqimeve më kujtoi edhe vargjet biblike, ku paralajmërohet apokalipsi i madh. Shpeshherë ato më janë dukur mosbesuese e patetike. Kjo ndjesi nuk dyzohet, po të mendosh se rritja ekonomike e këtij fillimshekulli është derivat i një model konsumi, që sot konsiderohet simbol i zhvillimit dhe mirëqenies.
Agjencia Botërore e Ushqimit ka bërë thirrje urgjente që komuniteti ndërkombëtar të ndihmojë vendet në zhvillim, të cilat nuk arrijnë të përballojnë mungesat e ushqimit dhe çmimet e larta. Ka pasur kërkesa edhe për kufizimin e bio-karburanteve, që për shumë njerëz është një luks i tepruar dhe pjesërisht shkaktare e krizës së krijuar në tregjet e ushqimit. Në disa vende si Nigeria, familjet shpenzojnë deri në 80 për qind të të ardhurave për ushqim. Kjo situatë ka shkaktuar zemërim, që vazhdon të rritet. Në Lindjen e Mesme ka mungesa në furnizimet me bukë. Ndërsa në Azi, trupat ushtarake ruajnë orizin. Panorama rrëqethëse merr një shpjegim nga Greg Berou, përfaqësues i Programit Botëror të Ushqimit në OKB: "Janë një numër faktorësh të kombinuar që po ndikojnë në këtë krizë; çmimet e larta të naftës dhe ushqimeve, të nxitura nga bumi i rritjeve ekonomike në Kinë e Indi. Pastaj fenomeni i prodhimit të bio-karburanteve, ku fushat që dikur përdoreshin për të prodhuar grurë për ushqim tani përdoren për naftë".
Agjencia Botërore e Ushqimit ka bërë thirrje urgjente për 755 milionë dollarë në ndihma ushqimore. Sipas saj, në të gjithë botën, të paktën 850 milionë vetë mund të mbeten pa ushqim. Kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara u bën thirrje udhëheqësve botërorë të gjejnë çdo mënyrë për të ndihmuar bujqit në vendet në zhvillim të rrisin prodhimet bujqësore, pasi e ardhmja duket jo shumë premtuese. Thatësira në Australi e ka kufizuar sasinë e grurit në tregjet botërore, si rezultat, disa eksportues kanë kufizuar eksportet. Edhe Ukraina po kufizon eksportet e grurit, ndërsa Vietnami dhe India kanë reduktuar eksportet e orizit. Të gjithë këta faktorë po e ulin sasinë e drithërave në tregun botëror.
Kriza dhe Shqipëria
Shifrat e të varfërve në Shqipëri nuk janë optimiste. Kjo kategori përbën plot 19% të popullsisë. Në raportin e saj më të fundit, Banka Botërore tregon se gati një në pesë shqiptarë jeton nën minimumin jetik. Shqiptarët, sipas raportit, shpenzojnë 50 dollarë në muaj. E konvertuar, kjo vlerë përllogaritet në më pak se 4800 lekë. Raporti është hartuar mbi matjet e ekspertëve të kësaj banke përgjatë një periudhe trevjeçare, përkatësisht nga viti 2002 deri më 2005-ën. Një ndër konstatimet e tij është se numri i të varfërve në Shqipëri gjatë kësaj periudhe ka shënuar rënie të ndjeshme, kryesisht për shkak të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme deri në 6%, por edhe emigracionit. Por kriza botërore e çmimeve ka ngritur pikëpyetje se si do të jenë këta tregues në të ardhmen? Për Bankën Botërore, nëse çmimet do të rriten edhe më shumë, shtresa e mesme e shoqërisë shqiptare rrezikon të ulet në kufirin e varfërisë. Do të shtohet numri i të varfërve, ndërsa ata që aktualisht ndodhen në kufirin e varfërisë do të bëhen edhe më të varfër.
Raporti i fundit i Bankës Botërore referon gjithashtu se 575 mijë shqiptarë jetojnë në varfëri ekstreme dhe pjesa dërrmuese e tyre banojnë në zonat rurale të vendit. Një ndër mekanizmat kryesorë që përdor qeveria për t‘i ardhur në ndihmë kësaj shtrese të popullsisë është edhe ndihma ekonomike. Por, Banka Botërore konstaton se deri tani ky program ka ndikuar fare pak në zbutjen e varfërisë, për shkak se është i pamjaftueshëm. Sipas raportit, në vitin 2005 qeveria shqiptare adresoi 8.9 miliardë lekë, ose 1% të Produktit të Brendshëm Bruto për ndihmën ekonomike. Por, programi arriti të thithte vetëm 0.4% të PBB-së. Edhe gjatë viteve në vazhdim shifra ka mbetur thuajse e njëjtë në raport me PBB-në, edhe pse në vitin 2008 qeveria ka adresuar për të varfrit 12 miliardë lekë, ose 1.1% të PBB-së.
Jo vetëm sasia e parave që akordon shteti për ndihmë ekonomike në vetvete është e varfër, por edhe familjet që përfitojnë prej saj janë fare të pakta. Kështu, në vitin 2002 ndihmë ekonomike përfitonte vetëm një në katër familje që ishin vërtet të varfra, që do të thotë se tre në katër familje (që jetonin me më pak se 2 dollarë në ditë, apo 50 dollarë në muaj) nuk përfitonin këtë lloj ndihme. Në vitin 2005, përqindja e mbulimit është përmirësuar paksa, duke bërë që një në tre familje të përfitojnë nga skema e ndihmës. Por ndonëse ka një përmirësim në përqindjen e mbulimit, shuma që përfiton një familje e varfër si ndihmë ekonomike ka ardhur duke u ulur gjatë viteve të fundit. Ndaj në këtë pikë Banka Botërore këshillon që ndihma ekonomike të rritet në raport me PBB-në. "Si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose mbrojtjes sociale, programi i ndihmës ekonomike është i vogël. Por duhet theksuar se ai mbetet instrumenti kryesor për mbështetje direkte dhe si një program potencial antivarfëri është i nënvlerësuar", thuhet në raport.
Kriza, Banka Qendrore dhe doganat
Beteja me çmimet e lajthitura të konsumit ka nisur kohë më parë për qytetarët shqiptarë, madje shumë më parë se agjencitë ndërkombëtare të ushqimeve t‘i binin kambanave të alarmit. Produktet bazë të shportës pësuan rritje të panjohura më parë ndërsa mungesa e energjisë elektrike dhe rritja e çmimit të naftës nxorën jashtë kontrolli situatën ekonomike në vend. Tronditja makro dhe mikro u reflektua në muajin mars të këtij viti, ku inflacioni arriti nivelin alarmant të 4.6 për qind. Kjo shifër tejkaloi dhe objektivin e vendosur nga Banka e Shqipërisë, ku norma bazë e inflacionit llogaritet në 3 për qind, me një kufi tolerance plus/minus 1 për qind. Edhe pse autoriteti qendror monetar në vend bëri një ndërhyrje të menjëhershme me politikat e tij për të zbutur situatën, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, nuk reflektoi aspak qetësi. Gjatë prezantimit në Kuvend të raportit vjetor për vitin 2007, Fullani deklaroi me shqetësim se vendi rrezikohet nga një rritje e mëtejshme e inflacionit. Sipas tij, presionet në ekonomi nga kriza botërore e ushqimeve janë shtuar. Në këto kushte, kreu i Bankës Qendrore i ka rekomanduar qeverisë të ndërmarrë masa urgjente për zhvillimin e sektorit bujqësor, si e vetmja mënyrë për të zbutur rritjen e çmimeve të ushqimeve që vijnë nga importi. "Kriza botërore e ushqimeve do të vazhdojë për një periudhë afatmesme dhe duhen marrë masa urgjente për strukturimin e bujqësisë. Presionet në kahun e ofertës do të shtohen dhe kjo do të ndikojë në inflacion", tha Fullani. Guvernatori deklaroi gjithashtu se po monitorohet me kujdes situata dhe tregoi qartë gjatë prezantimit të raportit se nuk do të ketë ndërhyrje të institucionit mbikëqyrës bankar në rritjen e normës bazë të interesit për lekun. Qëndrimi i tij u vërtetua edhe në mbledhjen e fundit të këshillit mbikëqyrës të bankës së Shqipërisë, i cili vendosi që kjo normë të mbetet në nivelin 6.25%. Autoriteti Qendror Monetar në vend ka vlerësuar ndër të tjera se çmimet e larta të konsumit rrezikojnë në të ardhmen përkeqësimin e termave të tregtisë së jashtme. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë këshillon se rritja ekonomike dhe investimi në sektorë strategjikë si bujqësia, energjia dhe ndërtimi duhet të përbëjnë prioritetet e politikëbërësve në të ardhmen afatshkurtër dhe afatmesme.
Si për të përforcuar shqetësimin e Bankës së Shqipërisë, se situata ekonomike në vend është vërtet kritike, një tjetër institucion, doganat shqiptare, japin alarmin se kjo situatë do të mbetet e tillë për një kohë të papërcaktuar. Sinjale të tilla vijnë pas të dhënave më të fundit, që janë shënuar në pikat doganore shqiptare e që tregojnë se çmimet e ushqimeve bazë që Shqipëria importon, kanë shënuar një rritje të fortë gjatë muajit prill, krahasuar me marsin. Sipas drejtorit të përgjithshëm të Doganave, Përparim Dervishi, rritjen më të madhe e kanë produktet e konsumit më të gjerë, si drithërat e vaji. Çmimi i grurit të importuar gjatë muajit prill nga Evropa është rritur me 10 euro për ton brenda dy javësh, ndërsa për atë që blihet nga Amerika me 40 dollarë për ton. Edhe çmimi i misrit, produkt që përdoret gjerësisht si ushqim për blegtorinë, vazhdon të rritet, duke rënduar në këtë mënyrë kostot e fermerëve, të cilët përballë kësaj situate pritet të rrisin çmimin e bulmetrave dhe mishit. Çmimi i misrit ishte 225 dollarë në mars, ndërsa në ditët e para të prillit arriti në 250 USD. Rritja e pandalshme ka përfshirë edhe vajin, çmimi i të cilit brenda një muaji nga marsi në prill është rritur me rreth 60 dollarë për ton. Sipas të dhënave doganore, me këtë rritje çmimi i vajit të papërpunuar arrin në 1710 dollarë për ton, ndërsa për vajin e përpunuar 2050 për ton (në mars, çmimet respektive ishin 1655 dollarë për vajin e papërpunuar dhe 1895 dollarë për vajin e gatshëm). Por çmimet e blerjes së këtyre mallrave të importit nuk i përfshijnë taksat, që do të thotë se deri në treg, tek konsumatori, ato ngarkohen dhe me 20% TVSH në dogana.
Kriza dhe politikat frenuese
Ndërsa Kombet e Bashkuara kanë ngritur grupin Task-Force për të përballuar krizën e urisë dhe Banka Botërore u bën thirrje qeverive në të gjithë botën të hartojnë një plan emergjence, qeveria shqiptare po e përjeton me kokë në re situatën. Edhe pse çmimet bazë të shportës po bëhen çdo ditë e më të papërballueshme për buxhetin familjar të qytetarëve shqiptarë, asnjë masë frenuese nuk po konkretizohet për të zbutur realitetin e vështirë. I vetmi sinjal që me këtë krizë është njohur edhe ekzekutivi, ishte deklarata tepër evazive e Kryeministrit Sali Berisha, i cili tha se qeveria ka marrë masat të kompensojë qindarkë më qindarkë të gjithë efektin e rritjes së çmimeve të konsumit që vjen nga importi. Por mënyrën se si do të realizohet kjo skemë, në vend të Kryeministrit, e shpjegoi këshilltari i tij ekonomik, Petraq Milo. "Qeveria, duke filluar që nga një korriku, do të bëjë indeksimin e pagave për të gjithë buxhetorët. Rritja e pagave do të llogaritet në bazë të inflacionit". E shpjeguar në këtë mënyrë, skema duket disi e segmentizuar, duke favorizuar vetëm punonjësit e administratës publike, por Milo thotë se në vitet e fundit, kur shteti ka kryer rritje të pagave, sektori privat nuk ka qëndruar pasiv, por ka ndjekur dinamizmin e sektorit publik. Ai shpjegoi se rritje të pagave ka pasur dhe në sektorin privat. Më e fundit, sipas tij, është ndërhyrja që qeveria bëri në rritjen e pagës minimale. Ndonëse skeptik në faktin se një qeveri mund të ndryshojë politika aq shpesh sa në botë prodhohen kriza, Milo propozon edhe një masë tjetër frenuese ndaj krizës së çmimeve. Sipas tij, në këto momente lipset edhe një reflektim i bujkut shqiptare për t‘iu rikthyer mbjelljes së tokave me produkte bujqësore. Ai thotë se nxitja e prodhimit vendas mund të jetë një masë më efektive se krijimi i rezervave ushqimore. "Mbjellja, riaktivizimi i bujqësisë në të gjitha segmentet e saj është e një rëndësie jetike për vendin tonë".
Por ndryshe nga politikëbërësit, ekspertët e fushës ekonomike kjo krizë i ka gjetur syçelët dhe të gatshëm për të vepruar. Ata kanë në tavolinë një plan veprimi, që në rastin konkret ia propozojnë qeverisë. Boshti qendror i këtij plani është rritja e prodhimit vendas. Sipas tyre, një sasi më e madhe e këtij prodhimi do të ishte çelësi i suksesit për mirëmenaxhimin e krizës. "Shteti duhet të ndërmarrë politika shtesë në sektorin e bujqësisë, me qëllim përballimin e krizës së ushqimeve. Në vendin tonë zhdoganohen 520 milionë euro mallra ushqimore që vijnë nga importi, nga të cilat 140 milionë euro arkëtohen direkt nga shteti. Një e treta e të ardhurave nga zhdoganimet e këtyre mallrave duhet t‘i shkojnë fermerit si ndihmë financiare për të rritur prodhimin vendas", thotë Ismail Beka, drejtor i Programit për Zhvillimin Ekonomik në GTZ. Sipas tij, ndihma financiare për fermerin nuk duhet të jetë e dyfishtë apo e trefishtë, por e drejtpërdrejtë dhe të shkojë tek ata individë që duhet ta përfitojnë atë. "Nuk mund të mendojmë sot se si mund ta ulim çmimin e karburantit për traktorët, por duhet të mendojmë të kemi një paketë të plotë ndihme për atë që kultivon". Beka thotë gjithashtu se qeveria duhet të rishikojë edhe politikat e saj lidhur me mbjelljen e tokave, veçanërisht me drithëra. "Nëse gjatë tri viteve të fundit nuk janë stimuluar politikat për mbjelljen e drithërave, këto politika duhet të rifreskohen veçanërisht për mbjelljen e tokave djerrë apo rritjes së sipërfaqeve të mbjella me grurë. Sasia e vogël e drithërave jo vetëm do të sjellë rritje të çmimeve për këtë kulturë, por do të ndikojë negativisht edhe në blegtori, pasi dihet që drithërat janë dhe ushqim për gjedhët.
Buxheti i shtetit ka një deficit prej 500 milionë eurosh, që shkaktohet nga raporti import-eksport i produkteve ushqimore. Edhe pse Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme për të prodhuar produkte bujqësore, mbetet një importues neto i këtyre produkteve. Një zgjidhje, por këtë radhë në nivelin mikro, nxiton të japë edhe Shkëlzen Marku, drejtor i projektit për zhvillimin e zonave malore. Sipas tij, politikat që duhet të marrë qeveria për rritjen e prodhimit vendas janë ulja e taksave dhe tatimeve për inputet, zhvillimi i rrjetit të inputeve, si dhe partneriteti publik e privat për shpërndarjen e tyre. "Edhe pak prodhime bujqësore që prodhohen në vend prishen dhe nuk arrijnë të absorbohen nga tregu. Si pasojë e mungesës së një rrjeti marketingu moskoordinimit prodhues-tregtar, por edhe mungesës së tregjeve, këto produkte ose vetëkonsumohen, ose nuk shkojnë te konsumatori me gjithë nevojën emergjente të tregut, çfarë do të thotë se këto produkte nuk mund të kthehen në para për fermerin shqiptar", shpjegon ai.
Botës i janë tronditur themelet, këtë herë jo nga zemërimi i natyrës, por nga rritja e shfrenuar ekonomike që prodhoi dora e njeriut për të kënaqur egon e mirëqenies së tij. Ndaj sot, përballë bujarisë së mëmës natyrë, le të korrigjojmë ato gabime që në një të ardhme jo të largët, ashtu sikurse libri i shenjtë paralajmëron, do të vendosë në pikëpyetje ekzistencën e racës njerëzore...